BE VOTON PËR THELLIMIN E LIDHJEVE TË INDUSTRISË SË MBROJTJES ME UKRAINËN

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian votuan të martën për të thelluar integrimin e industrisë së mbrojtjes së bllokut me Ukrainën, ndërsa një plan paqeje nga SHBA-ja mbetet i paqartë dhe operacionet e luftës jokonvencionale të Rusisë trazojnë bllokun me 27 vende.

Deputetët e Parlamentit Evropian votuan 457–148, me 33 abstenime, për të miratuar një program prej 1.5 miliardë eurosh (1.7 miliardë dollarë), nga të cilat 300 milionë euro janë parashikuar për ‘Instrumentin e Mbështetjes së Ukrainës’.

Raphaël Glucksmann, deputet i PE-së nga partia ‘S&D’ e Francës, tha se programi i mbrojtjes “do të na mundësojë të ndërtojmë një Evropë më të qëndrueshme dhe sovrane” përmes partneritetit me Ukrainën në ndërtimin e një kompleksi të avancuar industrial ushtarak.

“Kjo është thelbësore për t’u siguruar që ne të mbrojmë demokracitë tona në mënyrë efektive dhe të pavarur,” tha ai.

Industria e mbrojtjes së Ukrainës “ka nevojë për ne,” u tha Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, deputetëve të BE-së para votimit në Strasburg, pa përmendur negociatat e vazhdueshme të paqes për t’i dhënë fund luftës. “Por ne kemi edhe më shumë nevojë për inovacionet mbrojtëse të Ukrainës”, raporton AP.

Ai tha se lejimi i qasjes së Ukrainës në Programin e Investimeve të Mbrojtjes së BE-së “e bën të mundur blerjen e pajisjeve mbrojtëse në, me dhe për Ukrainën”.

Shpenzimet e mbrojtjes në BE pritet të arrijnë rreth 392 miliardë euro (më shumë se 450 miliardë dollarë) këtë vit, pothuajse dyfishi i shumës së katër viteve më parë, para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

SHARE