Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, dhe kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, mikpritën përfaqësues të rreth 60 parlamenteve kombëtare dhe organizatave ndërparlamentare në Samitin e Katërt Parlamentar të Platformës së Krimesë, mbajtur më 23–24 nëntor në Stokholm, ku mori pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.
Në hapjen solemne të Samitit, përfaqësues të lartë të Ukrainës dhe Suedisë theksuan rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e sigurisë evropiane.
Në fjalën e tij, nënkryetari Camaj theksoi se Mali i Zi, gjatë historisë së tij bashkëkohore, ka vepruar gjithmonë i udhëhequr nga parimet e paqes, solidaritetit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor, duke përmendur pritjen e një numri të madh refugjatësh si në vitet ’90 ashtu edhe në vitin 2022.
Ai vuri në dukje se këto përvoja e kanë formësuar identitetin modern të vendit si një shoqëri që kultivon multietnicitet, dialog dhe fqinjësi të mirë.
„Si anëtar i NATO-s dhe si shtet drejt anëtarësimit në BE, Mali i Zi qëndron fuqishëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke besuar në zgjidhje diplomatike dhe paqe të qëndrueshme,“ theksoi Camaj.
Ai nënvizoi se Mali i Zi do të mbetet aleat i besueshëm dhe zë i stabilitetit në Evropë.
“Më lejoni ta përmbyll fjalimin tim me fjalin e parë të Planit për Paqe, të cilin pala amerikane e publikoi javën e kaluar: ‘Sovraniteti i Ukrainës do të konfirmohet’. Sinqerisht shpresoj që do të jetë kështu, ashtu siç shpresoj edhe në paqe të qëndrueshme,” tha ndër të tjera nënkryetari Camaj.
Gjatë Samitit, nënkryetari Camaj zhvilloi disa takime bilaterale me përfaqësues të vendeve të ndryshme, ku u konfirmua mbështetja e fortë për rrugën evropiane të Malit të Zi dhe angazhimi për thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe politik.
Samiti u mbyll me miratimin e Deklaratës së Përbashkët, në të cilën u riafirmua mbështetja e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, u dënua agresioni rus dhe u kërkua lirimi i të gjithë të burgosurve ukrainas.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për vazhdimin dhe forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë, përgjegjësinë ndërkombëtare për dëmet e shkaktuara nga lufta dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse, si dhe domosdoshmërinë e rindërtimit të Ukrainës duke mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore, kombëtare dhe mjedisore.










