SHIMUN: MINISTRIA E SHËNDETËSISË KA VEPRUAR NË MËNYRË TË PËRGJEGJSHME DHE TRANSPARENTE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Shëndetësisë së Malit të Zi, Vojisllav Shimun, deklaroi në Kuvend se Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente në të gjitha rastet e vdekjeve në institucionet shëndetësore gjatë dy viteve të fundit, me synim që të sigurohet drejtësia për familjet dhe për opinionin publik.

Ai theksoi se është thelbësore të përcaktohet qartë përgjegjësia individuale aty ku ajo ekziston dhe se proceset hetimore janë tashmë në duart e organeve kompetente.

Deputeti Zoran Mikiq (LQ URA) e pyeti ministrin nëse do të japë dorëheqjen pas rastit të dytë të vdekjes së një të porsalinduri në Spitalin e Nikshiqit në dy vjet.

Ai kritikoi gjendjen e përgjithshme të sistemit shëndetësor, ku janë regjistruar disa vdekje të rënda, mungesa financiare dhe lista të gjata pritjeje, duke kërkuar që dikush të marrë përgjegjësi.

Shimun shpjegoi se në disa raste përgjegjësia është tashmë e përcaktuar, siç është rasti i vdekjes së nënës nga Ulqini, dhe se për rastet e fundit, procedurat janë në zhvillim për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për gabime sistemike apo individuale.

Ai përmendi se në Spitalin e Nikshiqit janë pezulluar dy infermiere, njëra prej të cilave është shkarkuar, ndërsa për rastin e vdekjes së djalit nga Tivari është mbyllur edhe një institucion shëndetësor privat i përfshirë në trajtim.

Në seancë u diskutua edhe për çështjen e ndryshimit të sistematizimit të punës në Ministrinë e Shëndetësisë, për të cilën deputeti Jevto Erakoviq (PDS) akuzoi ministrin për shmangie të përgjigjeve dhe për shkarkime të motivuara politikisht, duke theksuar rastin e një të punësuari që dyshohet se u largua për shkak të aktivizmit në rrjetet sociale.

Ministri Shimun foli gjithashtu për masat që ndikojnë në rritjen e natalitetit.

Ai theksoi se disa komuna kanë shënuar bilanc natyror pozitiv sipas të dhënave të Monstat-it.

Në seancë u parashtruan pyetje nga disa deputetë, ndërsa Kuvendi vazhdon punimet me shqyrtimin e disa projektligjeve, përfshirë ato për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore, bashkëpunimin me diasporën, ndryshimet në Ligjin e Punës, në Ligjin për trafikun ajror dhe në Ligjin për tregtinë e jashtme të armatimit dhe pajisjeve ushtarake.

SHARE