Kongresisti republikan Mike Turner dhe ai demokrat Donald Norcross, kanë zhvilluar takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me të cilët kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vende në fusha të ndryshme.
Osmani, gjatë një prononcimi për media, tha se të dy kongresistët për një kohë të gjatë e kanë mbështetur Kosovën.
“Si kontribuues të paqes në rajon e kanë këtë vizitë ku përfshihet pothuajse i gjithë rajoni për të parë se si mund ta vazhdojmë bashkëpunimin në favor të paqes dhe stabilitetit. Prandaj, këto kanë qenë çështjet që kemi diskutuar, bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe SHBA-së, zhvillimet në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, përafrimi ynë me NATO-n, sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi dhe mënyrën se si mund të koordinohemi edhe më shumë me SHBA-në në mënyrë që të kemi integrim sa më të suksesshëm të komunitetit serb brenda Kosovës”, tha ajo.
Osmani ka potencuar se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht e përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të.
Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, presidentja Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it.
Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut.
Ndërkaq, pas takimit me Kurtin, zyra e tij tha se biseda me delegacionin amerikan u përqendrua në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
“Krahas investimeve në mbrojtje, kryeministri [në detyrë ] u shpreh se Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj euroatlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO dhe BE, jo vetëm si përfituese nga ombrella e sigurisë, por edhe si kontribuuese në paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Po ashtu, Kurti me delegacionin amerikan diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe teknologjisë dhe në projekte të tjera që pritet të realizohen, sikurse si ato në transportin hekurudhor.









