Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhet në Zagreb në një vizitë zyrtare.
Kryediplomatja shqiptare u prit këtë të hënë nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Në fokus të takimit dypalësh ishte perspektiva europiane e Shqipërisë dhe mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian.
Gjatë bisedës, ministrja Spiropali falënderoi presidentin kroat për mbështetjen politike dhe teknike që Kroacia i jep Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ajo theksoi se përvoja kroate tregon se reformat e thelluara dhe diplomacia aktive sjellin rezultate konkrete, dhe se Shqipëria është e vendosur të ndjekë të njëjtin model.
Presidenti Milanoviq vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke nënvizuar partneritetin e fortë mes dy vendeve në çështjet e sigurisë.
Gjatë vizitës, ministrja Spiropali do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera ku do të diskutohet mbi marrëdhëniet tradicionalisht miqësore mes dy vendeve dhe hapat e mëtejshëm të partneritetit strategjik, përfshirë organizimin e takimit të parë ndërqeveritar (G2G).
Në fokus do të jenë gjithashtu bashkëpunimi ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës, projektet rajonale si Korridori Blu, Korridori VIII dhe Nisma e Tri Deteve, si dhe zhvillimi i degës së gazsjellësit Adriatiko–Jonian për forcimin e lidhjes energjetike Kroaci–TAP.









