MBYLLEN TRE AEROPORTE TË MOSKËS / SULM ME DRONË UKRAINAS, MBROJTJA AJRORE RUSE NË VEPRIM

Tre nga katër aeroportet ndërkombëtare të Moskës u mbyllën përkohësisht këtë mëngjes për shkak të një sulmi me dronë nga Ukraina, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Aeroportet e pezulluara ishin Sheremetevo, Domodedovo dhe Zhukovski.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobianin, njoftoi se një dron ishte rrëzuar nga mbrojtja kundër-ajrore mbi kryeqytet, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes pohoi se gjatë natës janë shkatërruar dronë ukrainas mbi tre rajone të Rusisë, përfshirë dy që synonin Moskën.

Dronë janë rrëzuar gjithashtu në rajonin kufitar të Brianskut dhe në atë të Kalugas.

Në total, mbrojtja ajrore ruse pretendon se ka interceptuar ose shkatërruar 93 dronë gjatë natës, mbi territorin rus, por edhe mbi Detin e Zi dhe Detin Azov.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj qyteteve ukrainase. Në Marhanets të Dnipropetrovskut u regjistruan dy viktima, ndërsa në Nikopol pesë persona mbetën të plagosur.

Sulmet në Çernihiv plagosën dy persona dhe shkaktuan disa zjarre.

Harkivi u godit rëndë, me katër persona të vrarë dhe 17 të plagosur, mes tyre fëmijë 11 dhe 12 vjeç.

Në Odesa, dronët rusë kanë synuar infrastrukturën portuale, duke shkaktuar zjarr në një anije, por pa viktima.

Sulme të tjera të mbrëmjes së së dielës në rajonin e Odesës dëmtuan infrastrukturën energjetike dhe një ndërtesë industriale.

SHARE