MILLATOVIQ NË UASHINGTON: 120 VITE MIQËSI, BESIM DHE VLERA TË PËRBASHKËTA

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë një ceremonie në Uashington për shënimin e 120-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara, theksoi rëndësinë historike dhe qëndrueshmërinë e partneritetit dypalësh.

Ai kujtoi momentin e vitit 1905, kur përfaqësuesi amerikan John B. Jackson dorëzoi kredencialet princit Nikolla, duke shënuar fillimin zyrtar të marrëdhënieve diplomatike.

Millatoviq theksoi se pavarësisht sfidave historike, miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve kanë mbetur të forta, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të diasporës malazeze në SHBA në forcimin e këtyre lidhjeve.

Ai rikujtoi se SHBA ishte një ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Malit të Zi dhe se ka qenë partner i palëkundur në proceset demokratike, zhvillimin institucional dhe sundimin e ligjit.

Presidenti vuri në dukje kontributin vendimtar të SHBA në anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe theksoi se bashkëpunimi është thelluar në fusha të ndryshme, si siguria, mbrojtja, energjia, infrastruktura, investimet, kultura dhe arsimi.

Ai foli edhe për lidhjet njerëzore që mbajnë gjallë këtë partneritet, duke përfshirë studentët, sipërmarrësit, akademikët dhe artistët.

Millatoviq shprehu synimin që partneriteti të ngrihet në nivelin e një Partneriteti Strategjik të ri, të bazuar në mbrojtje, siguri energjetike, inovacione dhe bashkëpunim ekonomik.

Përfaqësuesit amerikanë, përfshirë zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe anëtarë të Kongresit, vlerësuan rolin e Malit të Zi si aleat i besueshëm i NATO-s dhe shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e sigurisë, teknologjisë, energjisë dhe infrastrukturës.

Ata falënderuan Millatoviqin për lidershipin e tij dhe shprehën besimin se marrëdhëniet do të vazhdojnë të forcohen në vitet e ardhshme.

Ambasadori i Malit të Zi në Uashington, Jovan Mirkoviq, përmbylli ceremoninë duke theksuar se partneriteti dhe miqësia me SHBA mbeten një nga shtyllat kryesore të stabilitetit dhe zhvillimit të ardhshëm të vendit.

SHARE