NË KUVENDIN E MALIT TË ZI MBAHET PARLAMENTI I XIII I FËMIJËVE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Në Kuvendin e Malit të Zi u mbajt sot seanca e XIII-të e Parlamentit të Fëmijëve, në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve dhe me mbështetjen e UNICEF-it.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, duke e hapur seancën, uroi 20 Nëntorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës dhe theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijëve, si e drejta për jetesë, zhvillim, pjesëmarrje dhe barazi.

Ai theksoi se gati 60 fëmijë nga 25 qytete të Malit të Zi u mblodhën në sallën plenare për të shprehur qëndrimet dhe idetë e tyre për politikat shoqërore.

Mandiq i inkurajoi fëmijët të flasin lirshëm dhe të shprehin mendimet e tyre, duke theksuar se fëmijët shpesh vërejnë gjëra që të rriturit harrojnë, se shoqëria përparon vetëm kur ka të drejta të barabarta për të gjithë.

Gjatë seancës, fëmijët patën mundësinë t’i drejtojnë pyetje deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve dhe vendimmarrësve të tjerë, duke ngritur çështje që lidhen me familjen, shkollën dhe komunitetin. Parlamenti i Fëmijëve synon të forcojë të drejtën e fëmijëve për pjesëmarrje dhe avokim, duke u dhënë atyre hapësirë për të shprehur nevojat, për të bërë propozime dhe për të ndikuar në proceset që prekin jetën e tyre.

Ky mekanizëm gjithashtu forcon lidhjet midis fëmijëve nga zona të ndryshme dhe promovon standardet e Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Kuvendi njoftoi se do të vazhdojë të zhvillojë mekanizmat e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të nxisë angazhimin e tyre aktiv në proceset demokratike, duke forcuar institucionet dhe duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

SHARE