BE-ja: ÇDO PLAN PËR PAQE NË UKRAINË DUHET TË KETË MBËSHTETJEN E EVROPËS DHE KIEVIT

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, përsëriti qëndrimin se çdo plan që synon përfundimin e luftës në Ukrainë duhet të mbështetet nga Evropa dhe Kievi, raporton Anadolu.

Para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Kallas komentoi për mediat planin e raportuar të administratës amerikane për përfundimin e luftës ruso-ukrainase.

Ajo theksoi se çdo plan për t’i dhënë fund luftës duhet të ketë mbështetjen e Evropës dhe Ukrainës, duke shtuar: “Gjithashtu duhet të kuptojmë se në këtë luftë ekziston një agresor dhe një viktimë. Prandaj nuk kemi dëgjuar që pala ruse të ketë bërë ndonjë kompromis”.

Kallas vuri në dukje se Rusia mund të pranonte armëpushim të pakushtëzuar nëse do të dëshironte paqe, por nuk e ka bërë këtë, dhe akuzoi Moskën se shënjestron infrastrukturën civile gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Duke iu përgjigjur spekulimeve se Evropa po diskuton plan të ri paqeje së bashku me Ukrainën, Kallas tha: “Sipas asaj që di, një gjë e tillë nuk ekziston”.

Kallas kujtoi miratimin e rezolutës së SHBA-së për krijimin e një Bordi Paqeje në Gaza dhe për vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke thënë se “Po diskutojmë se si do të ndryshojnë detyrat e dy misioneve tona ‘EUBAM Rafah’ dhe ‘EUPOL COPPS’, si pjesë e një plani më të gjerë paqeje”.

Ajo konfirmon se BE-ja ka një plan për të trajnuar 3.000 policë palestinezë për të mbrojtur kufirin në Rripin e Gazës. Kallas theksoi se proceset në Palestinë duhet të udhëhiqen nga vetë palestinezët.

“Ne mund t’u ndihmojmë vetëm në ndërtimin e besimit dhe trajnimin e policëve. Sigurisht, kjo kërkon burime shtesë nga vendet anëtare si dhe sigurimin e stafit që do të dërgohet për këto detyra”, tha kryediplomatja evropiane.

SHARE