PJESËMARRJE E ULËT NË RAUNDIN E DYTË TË ZGJEDHJEVE LOKALE NË KOSOVË

Vetëm 32 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën sot në 18 komuna të Kosovës. Kështu ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën përmbyllëse për media.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi i votimit është zhvilluar i qetë dhe pa parregullsi që do të cenonin integritetin e zgjedhjeve.

Sipas tij, në këtë raund kanë votuar 429 mijë e 736 qytetarë, apo 32,64 për qind nga mbi 1 milion e 316 mijë votues të regjistruar, shifër kjo më e ulët krahasuar me 38,91 për qind sa ishte në raundin e parë.

Ndërkohë, pas mbylljes së vendvotimeve, ka nisur numërimi i votave dhe janë publikuar rezultatet e para preliminare.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës prijnë secila në nga pesë komuna, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nga tri, ndërsa Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Lista Serbe kanë fituar nga një komunë.

Në disa nga qytetet kryesore, rezultatet paraprake janë si më poshtë:

Prishtinë: Përparim Rama nga LDK udhëheq me 51,45% ndaj Hajrulla Çekut të LVV-së.

Prizren: Shaqir Totaj i PDK-së kryeson me 53,94% ndaj Artan Abrashit të LVV-së.

Pejë: Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka fituar me 60,93% ndaj Taulant Kelmendit të LVV-së.

Mitrovicë e Jugut: Faton Peci i LVV-së udhëheq me 53,54% ndaj Arian Tahirit të PDK-së.

Gjakovë: Ardian Gjini i AAK-së ka siguruar 56,03% të votave ndaj Ardian Golës të LVV-së.

Gjilan: Alban Hyseni i LVV-së kryeson me 61,06% ndaj Arbër Ismajlit të LDK-së.

Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa KQZ ka paralajmëruar se publikimi i rezultateve përfundimtare do të bëhet pas verifikimit të të gjitha fletëvotimeve.

SHARE