Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi se Mali i Zi ka arritur një përparim historik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe tashmë ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave.
Ajo theksoi se Raporti i ri i Komisionit Evropian është më i miri deri më tani për Malin e Zi, duke konfirmuar përkushtimin dhe zbatimin e reformave në mënyrë konsistente dhe evropiane.
Sipas raportit, gjatë tre viteve të fundit është shënuar përparimi më i madh që nga fillimi i negociatave në vitin 2012.
Asnjë nga 33 kapitujt negociues nuk është vlerësuar si stagnues, ndërsa përparim është regjistruar në të gjitha, me përshpejtim të veçantë në 18 prej tyre.
Tre kapituj – e Drejta Ekonomike, e Drejta e Pronës Intelektuale dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes – janë vlerësuar me nivel të avancuar përgatitjeje.
Ministri i Brendshëm, Danillo Sharanoviq, tha se Mali i Zi tashmë shihet jo vetëm si kandidat, por si anëtari i ardhshëm i BE-së, duke theksuar punën intensive të administratës në arritjen e rezultateve.
Ai shtoi se BE ka njohur përparim të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Edhe Ministria e Drejtësisë vlerësoi raportin si pozitiv, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, por theksoi se ende ka shumë punë për të bërë në periudhën e ardhshme.










