MILLATOVIQ: ZHVILLIMI I DREJTË BAZOHET NË PUNË, DIJE DHE MUNDËSI TË BARABARTA PËR TË GJITHË

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë në Samitin e Dytë Botëror të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Shoqëror, i cili u mbajt në Doha nën patronazhin e Emirit të Katarit, Sheikut Tamim bin Hamad Al-Tani, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Në fjalimin e tij, Millatoviq theksoi se zhvillimi i drejtë kërkon përgjegjësi, bashkëpunim dhe veprim të përbashkët të shteteve, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë në tërësi.

Ai bashkëkryesoi një tryezë të nivelit të lartë kushtuar përfshirjes sociale, punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke theksuar se qëllimi nuk është vetëm matja e përparimit, por që ky përparim të ndihet realisht në jetën e përditshme të çdo njeriu.

Në Samit u riafirmuan tre shtyllat kryesore të zhvillimit social: eliminimi i varfërisë, punësimi i plotë dhe puna me dinjitet për të gjithë, si dhe përfshirja sociale.

U miratua gjithashtu Deklarata e Dohas, e cila obligon udhëheqësit botërorë të punojnë së bashku për masa konkrete në këto fusha.

Mali i Zi mbështeti Deklaratën Politike të Dohas, duke konfirmuar përkushtimin e tij ndaj një zhvillimi më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në përputhje me Agjendën 2030 të OKB-së.

Në margjinat e samitit, Millatoviq zhvilloi edhe një takim me Emirin e Katarit, ku u diskutua forcimi i dialogut politik dhe bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve.

Kabineti i presidentit theksoi se Mali i Zi dëshiron të kontribuojë në dialogun global, reforma konkrete, institucione të ndershme e transparente dhe një ekonomi që i shërben të gjithëve.

SHARE