NIS FUSHATA PËR PARANDALIMIN DHE ZBULIMIN E HERSHËM TË KANCERIT TË MUSHKËRIVE NË MAL TË ZI

Foto: Vijesti

Në Mal të Zi është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të sëmurëve nga kanceri i mushkërive, dhe çdo vit rreth 340 pacientë trajtohen në Spitalin Special për Sëmundje të Mushkërive në Brezovik.

Me qëllim të ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, Shoqata Respiratore e Malit të Zi ka nisur një fushatë me moton: “Kontrollo mushkëritë e tua, zgjat lojën e jetës. Mos prit – cakto kontrollin!”

Fushata synon të nxisë qytetarët të bëjnë kontrolle të rregullta parandaluese dhe të adoptojnë zakone më të shëndetshme.

Sipas të dhënave të Shoqatës, vetëm 20% e rasteve zbulohen në fazat e hershme, ndërsa 80% në fazat e avancuara të sëmundjes.

Ekspertët theksojnë se zbulimi i hershëm mund të shpëtojë jetë, me një shkallë shërimi deri në 90% në fazat fillestare.

Pulmologu dhe kryetari i Shoqatës, Mirko Shebek, prezantoi objektivat e fushatës dhe një faqe të re interneti me një pyetësor interaktiv, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve, mjekëve, mediave dhe qytetarëve.

Ai apeloi që njerëzit të mos neglizhojnë simptomat e para dhe të kuptojnë se diagnoza e hershme shpesh bën diferencën midis shërimit dhe sëmundjes së rëndë.

Onkologja Ana Deliq Vukiçeviq theksoi se faktorët kryesorë të rrezikut janë duhanpirja, ekspozimi ndaj radonit, ndotja, mbipesha dhe ushqimi i pashëndetshëm, dhe se ndërgjegjësimi për parandalimin mbetet i ulët.  

Një nga ambasadoret e fushatës, sportistja Katarina Bullatoviq, apeloi që qytetarët të kujdesen për shëndetin e tyre, duke theksuar se “kanceri i mushkërive nuk është problem i tjetrit, por i të gjithëve”.

SHARE