Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet edhe vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane.
Ambasadori i Bashkimit Evropian(BE) në Shqipëri, Silvio Gonzato, i dorëzoi sot kryeministrit Rama raportin e progresit të Komisionit Evropian (KE), ndërkohë më pas zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë.
Rama theksoi se raporti thotë se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027, duke theksuar ky është objektiv historik dhe është ambicia e Shqipërisë.
Kryeministri Rama tha se në këtë rrugë, që e cilësoi të duhur, ka sfida në çdo hap dhe çështje për t’u adresuar.
“Ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e pesë grupkapitujve. Besoj se do të kryejmë edhe hapjen e grupkapitullit të gjashtë dhe do ta mbyllim vitin me të gjithë kapitujt të hapur. Sot ne i dimë shumë mirë detyrat. Jemi i vetmi vend në rajon që përdor inteligjencën artificiale për këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të Bashkimit Evropian për ta adoptuar në trupin ligjor të Shqipërisë”, tha Rama.
Rama shtoi se në të gjitha fushat raporti u thotë shqiptarëve që “Shqipëria ecën vendosmërisht në drejtimin e duhur”.
I pyetur lidhur me deklaratën e komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ka sugjeruar se shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian mund të kalojnë në një periudhë prove me mekanizma mbrojtës dhe tranzitorë përpara anëtarësimit të plotë, Rama tha se kjo është një ide që ai e ka hedhur publikisht më parë dhe e shikon “si një gjë shumë pozitive”.
Ambasadori Gonzato u shpreh Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Raporti i këtij viti publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grupkapitullit të fundit. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe dëshiroj të përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer”, tha Gonzato.
Gonzato u shpreh se duhet të shfrytëzojnë “mundësinë unike” në procesin e negociatave të anëtarësimit, pasi sipas tij ky proces ka hyrë në një fazë vendimtare.









