Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, tha se shpreson që së shpejti Kosova të ketë një qeveri të re në mënyrë që të punohet me të për të zbatuar rekomandimet e Raportit të Progresit për këtë vit.
Gjatë një konference për media, pasi i dorëzoi Raportin e Progresit kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, Orav tha se për shkak të ngërçit politik, Kosova e humbi një vit.
“Le ta them qartë, për t’iu ndihmuar ju që të bëni përparim në integrimin evropian na duhen partnerë. Na duhet një qeveri me të cilën do të bashkëpunonim, me një shumicë në Kuvend, e aftë të avancojë liritë themelore në të mirë të popullit të Kosovës. Në këtë drejtim, fatkeqësisht ka qenë një vit i humbur”, tha ai.
Ai kujtoi se vitin e kaluar, Kosova ishte e para në agjendën e reformave, afër marrjes së pjesës së parë të fondeve të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, kishte bërë përparim në shumë fusha.
“Dua të them se elita politike në Kosovë duhet të bashkohet përtej ndarjeve politike dhe etnike dhe të formojë një shumicë të fortë në Kuvend që do të siguronte ratifikimin e Planit të Rritjes dhe të avanconte në obligimet tuaj sipas dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Pa këtë, do të ketë humbje të mundësive të tjera”, tha ai.
Duke folur për Raportin, Orav tha se Kosova ka bërë përparim në gjashtë fusha: funksionimi i gjyqësorit, kapaciteti për t’i bërë ballë presionit në treg, zhvillimet në politikat e punësimit, politikat e ushqimit dhe raportet me jashtë.
Megjithatë, ai tha se ka fusha ku reformat nuk janë përfunduar. Sipas tij, duhet bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit, që vendi të ketë një treg konkurrues dhe një administratë funksionale.
Liria e shprehjes duhet të përmirësohet, tha Orav, duke përmendur këtu se duhen ligje të reja për Komisionin e Pavarur për Mediat dhe për buxhetin për transmetuesin publik dhe po ashtu tha se është urgjente që të miratohet strategjia kundër korrupsionit, sipas standardeve të BE-së.
Duke folur për masat ndëshkuese të vendosura nga blloku më 2023, Orav tha se ato kanë nisur që në maj të hiqen në mënyrë graduale. Megjithatë, për heqjen e tyre, ai tha se duhet të bëhet transferimi i pushtetit lokal në veri, pas përmbylljes së zgjedhjeve lokale dhe uljes së tensioneve.









