MILLATOVIQ NË DOHA: KOHA ËSHTË PËR ZHVILLIM TË DREJTË DHE TË PËRGJEGJSHËM

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë në Samitin e Dytë Botëror të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Shoqëror, që po mbahet në Doha. Gjatë fjalës së tij në sesionin plenar, Millatoviq bëri thirrje për ringjalljen e besimit dhe solidaritetit shoqëror përmes krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë. Ai theksoi se zhvillimi i vërtetë shoqëror është i mundur vetëm përmes eliminimit të varfërisë, përfshirjes sociale dhe punës me dinjitet, duke shtuar se këto janë vlera mbi të cilat Mali i Zi duhet të ndërtojë të ardhmen e vet. “Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është vetëm qëllim ekonomik por është zgjedhje morale,” tha Millatoviq, duke theksuar se dinjiteti dhe barazia burojnë nga puna, dijenia dhe përgjegjësia, jo nga privilegjet. Presidenti kujtoi se Mali i Zi ka mbështetur Deklaratën Politike të Dohas, e cila nënvizon angazhimin e përbashkët për zhvillim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Ai përmendi reformat që kanë përmirësuar standardin e jetesës, rritjen e pagës minimale dhe pensioneve, forcimin e të drejtave të punës dhe masat sociale si ndihma për fëmijët dhe librat falas për nxënësit. Millatoviq vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit midis shtetit, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat për uljen e pabarazive, duke përmendur nismën me bizneset dhe Kryqin e Kuq për mbështetje të familjeve në nevojë. Ai foli edhe për politikat demografike dhe nismën e obligacioneve për diasporën, që synon të inkurajojë investimet e mërgimtarëve në projekte zhvillimore në vend. Në fund, ai theksoi se pavarësisht sfidave si emigrimi i të rinjve dhe profesionistëve, Mali i Zi do të vazhdojë rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm në bashkëpunim me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare, me synimin për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.

SHARE