Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për periudhën 2024–2025, ku vlerëson se vendi ka bërë përparim të kufizuar në disa fusha, por thekson se ngërçi politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 ka ndikuar rëndë në rrugën evropiane të Kosovës. Raporti vë në dukje se mungesa e vullnetit politik për formimin e institucioneve paszgjedhore ka bllokuar proceset kryesore, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do t’i mundësonin Kosovës të përfitonte nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro — nga të cilat Kosovës i takojnë rreth 900 milionë euro. Zgjedhjet e 9 shkurtit u vlerësuan si të lira dhe demokratike, megjithëse fushata u shoqërua me retorikë të ashpër dhe presione në zonat me shumicë serbe. Raporti kritikon qeverinë për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar dhe mungesë konsultimi demokratik, ndërsa Kuvendi përmendet për bojkote, shkelje procedurale dhe dështime në funksionim pas zgjedhjeve. Në luftën kundër korrupsionit, KE thekson përparim në gjykimin e rasteve të nivelit të lartë, por mungesë të një strategjie kombëtare dhe nevojë për forcim të kapaciteteve të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Në fushën e krimit të organizuar, Kosova ka bërë përparim të kufizuar, ndërsa në sistemin gjyqësor vërehen përmirësime të pjesshme, por reforma të ngadalësuara për shkak të bllokadës politike dhe mungesës së përbërjeve të plota në Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial. Raporti kërkon përpjekje më të mëdha në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht për grupet joshumicë, dhe thekson se disa vendime qeveritare kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime bazë. Në fund, Komisioni Evropian nënvizon se Kosova duhet të forcojë sundimin e ligjit, të depolitizojë institucionet, të luftojë korrupsionin dhe të rivendosë stabilitetin politik, në mënyrë që të përparojë realisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian.









