BE VLERËSON PËRPARIMIN E MALIT TË ZI NË PROCESIN E INTEGRIMIT EVROPIAN

Foto: Ilustrim

Në draftin e raportit të Komisionit Evropian për Malin e Zi vlerësohet se përkushtimi i vazhdueshëm politik ndaj integrimit evropian ka sjellë rezultate konkrete në procesin e reformave dhe në përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Theksohet se Mali i Zi ka hapur të gjitha 33 kapitujt e negociatave dhe se shtatë prej tyre janë mbyllur përkohësisht, gjë që e bën atë vendin më të avancuar në procesin e aderimit.

Raporti nënvizon se gjatë vitit të fundit janë mbajtur dy konferenca ndërqeveritare ku janë mbyllur katër kapituj të rinj, dhe se mbajtja e orientimit të qartë strategjik drejt BE-së është thelbësore për progresin e mëtejshëm.

Paketa e zgjerimit pritet të miratohet më 4 nëntor. Po ashtu, konstatohet se Mali i Zi ka ruajtur përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Në fushën e drejtësisë, reforma e filluar në vitin 2024 ka sjellë rezultate fillestare pozitive, por korrupsioni mbetet një sfidë serioze, veçanërisht në nivelet më të larta të pushtetit.

Raporti kërkon intensifikim të hetimeve dhe ndëshkimeve për rastet e korrupsionit.

Përveç kësaj, vlerësohet se në Mal të Zi ka përmirësime të dukshme në lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik.

Shteti ka ndërmarrë gjithashtu hapa të rëndësishëm kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe ka shënuar progres në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, çka ka hapur rrugën për anëtarësim në sistemin SEPA.

Raporti konkludon se procesi i zgjerimit të BE-së po zhvillohet më shpejt se në 15 vitet e fundit dhe se anëtarësimi i vendeve të rajonit është bërë më i prekshëm dhe real.

SHARE