QEVERIA E MALIT TË ZI MIRATOI PROJEKTLIGJIN PËR EDUKIMIN DHE ARSIMIN PARASHKOLLOR

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Projektligjin për edukimin dhe arsimin parashkollor.

Sipas njoftimit, miratimi i ligjit të ri ka për qëllim përmirësimin dhe modernizimin e kuadrit ligjor që rregullon fushën e edukimit dhe arsimit parashkollor, përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare, si dhe eliminimin e mangësive të vërejtura në zbatimin e dispozitave aktuale.

Siç thuhet në njoftim, kuadri ekzistues ligjor nuk siguron një sistem mjaftueshëm efikas të edukimit parashkollor, gjë që shkakton probleme në praktikë dhe e vështirëson punën e institucioneve.

“Gjithashtu, është e domosdoshme harmonizimi me rregulloren e re ligjore, përkatësisht me Ligjin e përgjithshëm për arsim dhe edukim, si dhe përmbushja e objektivave të përcaktuara në Strategjinë e reformës së arsimit 2025–2035. Me ligjin e ri zgjidhen mangësitë, boshllëqet ligjore dhe mospërputhjet e konstatuara. Është theksuar posaçërisht nevoja për përmirësimin e qasjes në shërbime në zonat rurale dhe më pak të zhvilluara, si dhe për përcaktimin më të qartë të roleve dhe përgjegjësive të prindërve, institucioneve parashkollore dhe punonjësve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Projektligji, ndër të tjera, përcakton në mënyrë të saktë organizimin e punës edukativo-arsimore dhe përmbajtjen e programit vjetor të punës, përcakton llojet e programeve arsimore dhe përmirëson dispozitat që rregullojnë kadrin profesional-edukativ, duke përfshirë edhe kushtet për asistentin për zhvillimin e hershëm.

“Gjithashtu, futen norma dhe standarde për higjienën dhe ushqimin e duhur të fëmijëve. Me zgjidhjet e reja harmonizohen edhe dispozitat për regjistrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore me Ligjin për vlerësim unik të invaliditetit dhe me plotësimet e Ligjit për edukimin dhe arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, duke kontribuar kështu në përfshirjen e tyre në sistemin arsimor dhe duke rregulluar procedurën e regjistrimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

SHARE