Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se është e gabuar që Evropa është fokusuar gjithmonë e më tepër tek armatimi dhe nuk ka planin e saj të paqes, raporton Anadolu.
Rama mori pjesë në punimet e edicionit të 9-të të Forumit të Iniciativës për Investime në të Ardhmen (FII), që po mbahet në Riad të Arabisë Saudite, ku ishte i ftuar në panelin e diskutimit “A po shkon njerëzimi në drejtimin e duhur?”, së bashku me liderë nga vende të tjera.
“Mendoj që ka diçka thelbësisht të gabuar në faktin që ka një nxitim të përditshëm për t’u riarmatosur, për të menduar, për të folur e për të punuar gjithmonë e më tepër për më shumë armë. Ndërkohë që nuk ka një plan paqeje, që do të mund ta shihje e të lexoje e të mendoje mbi të. Një Evropë që nuk ka planin e saj të paqes, një Evropë, e cila për vite me radhë e vuri veten në autopilotin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pastaj kur gjërat atje ndryshuan dramatikisht do të thoja, nisi të rizbulonte fjalën ‘armëpushim’ që ishte hequr nga fjalori i të gjithëve, e megjithatë ka ngecur në një pozicion që përqendrohet vetëm tek armatimet”, tha Rama.
Rama theksoi se të ngecësh në këtë pozicion, që të mendosh vetëm për armatimet dhe jo për bisedimet e për paqen, është shqetësuese. Ai shtoi se është shumë i shqetësuar dhe i trazuar, sipas tij “nga fakti që fjala ‘bërthamore’ është shndërruar në diçka normale në fjalor”.
“Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis bukurisë dhe begatisë dhe ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis njerëzve dhe hapësirës në të cilën jetojnë. Unë besoj se nëse sot Mbretëria Saudite është një model, kjo lidhet po kështu shumë me vizionin, pjesë e të cilit është bukuria, është transformimi i cili është fizik, është i prekshëm dhe të tregon që gjithçka është e mundur”, tha Rama.
Forumi ka mbledhur së bashku liderë politikë dhe investitorë, sipas Qeverisë së Shqipërisë “në një dialog mbi të ardhmen e investimeve në botë, gjetjen e zgjidhjeve të reja dhe ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit”.









