Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila po qëndron për vizitë në Bruksel, është takuar me përfaqëuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.
Në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X, Spiropali tha se në takimin me Kallas diskutuan “angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë si një kontribuuese e vërtetë e sigurisë rajonale” dhe “një partnere e besueshme dhe proaktive e BE-së”.
Spiropali gjithashtu përmendi angazhimin e vazhdueshëm të vendit të saj “plotësisht në përputhje me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë mbështetjen tonë të vazhdueshme dhe të pakushtëzuar për Ukrainën”.
Shefja e diplomacisë shqiptare tha se në takim falënderoi shefen e diplomacisë së BE-së për “mbështetjen financiare që BE-ja vazhdon t’i ofrojë Shqipërisë, përfshirë edhe në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”.
“Theksova bindjen time të plotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë edhe Kosovën, është një investim strategjik në të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Spiropali.









