SPAJIQ: MALI I ZI ËSHTË I HAPUR DHE I GATSHËM PËR INVESTIME TË MËDHA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi është i hapur dhe i gatshëm për investime të mëdha, këtë e ka theksuar kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq në Forumin Global të revistës Fortune, i mbajtur në Riad.

Spajiq njoftoi në rrjetet sociale se në këtë forum ka prezantuar planet zhvillimore të Malit të Zi.

“Suksesi është identiteti ynë! ‘Mali i Zi: vend i vogël, ambicie të mëdha’ – në Forumin Global të Fortune në Riad prezantuam planet zhvillimore të Malit të Zi dhe dërguam mesazhin se vendi ynë është i hapur dhe i gatshëm për investime të mëdha,” shkroi Spajiq.

Sipas tij, Mali i Zi, si anëtarja e ardhshme e Bashkimit Evropian dhe si një nyje strategjike për qasjen në tregjet e Ballkanit Perëndimor, po tërheq vëmendje të madhe nga investitorët globalë.

“Inovacionet dhe tranzicioni i gjelbër janë vetëm disa nga fushat ku ata duan të zgjerojnë bizneset e tyre dhe të nxisin gjallërinë ekonomike. Ejani dhe përjetoni Malin e Zi – ta shohësh do të thotë të besosh,” përfundoi Spajiq.

SHARE