Të dielën, Albin Kurti nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për t’u rizgjedhur kryeministër të Kosovës, duke hapur rrugën për nisjen e procedurave të raundit të dytë për formimin e qeverisë.
Në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, tani përgjegjësia kalon te një shumicë e re parlamentare.
Si hap i parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të ftojë në konsultime partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, me qëllim vlerësimin e mundësive reale për krijimin e një qeverie të re.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thekson se këto takime duhet të reflektojnë “mundësinë faktike për të siguruar shumicën prej 61 votash”.
Ai kujton se brenda një afati dhjetëditor, presidentja duhet të vendosë se kush do të jetë mandatar i dytë për formimin e qeverisë.
“Sipas Gjykatës Kushtetuese, Presidenti nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e ‘gjasës më të madhe për të formuar qeverinë’, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese e zgjedhjeve”, ka sqaruar Cakolli.
Presidentja Osmani mund t’ia japë mandatin sërish Lëvizjes Vetëvendosje, nëse kjo parti deklaron se ka gatishmëri dhe mbështetje të mjaftueshme për të krijuar shumicën.
Megjithatë, mandati mund t’i kalojë edhe një partie tjetër që paraqet prova konkrete për mbështetje parlamentare.
“Duhet theksuar se nuk ekziston ndalesë që i njëjti kandidat të mandatohet sërish, pasi termi ‘kandidat tjetër’ i referohet vetëm raundit të dytë procedural”, ka shtuar Cakolli.
Në rast se asnjëra nga partitë politike nuk pranon të mandatohet – siç kanë paralajmëruar disa prej tyre gjatë së dielës – presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Sipas afateve ligjore, ato mund të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja, pra më 30 nëntor, 7 dhjetor ose më së largu më 14 dhjetor.









