Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Shqipëria jo vetëm po investon efektivisht e me përfitime reale për qytetarët, por po ndërton sipas saj një shembull të angazhimit për ndryshim e integrim në rajon.
Ministrja Spiropali po zhvillon një vizitë në Bruksel, ndërkohë është takuar me komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në lidhje me takimin, Spiropali ka shkruar në rrjetet sociale se në Bruksel, Shqipëria pritet me besim dhe trajtohet me respekt.
“Me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, mbështetësen e madhe të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE analizuam ritmin e procesit të negocimit, të reformave, rezultateve dhe pritshmëritë për më tej. Krenare që Shqipëria veçohet e vlerësohet si vendi ku premtimet dhe angazhimet nuk janë fjalë, por vepra, siç tregon ecuria e zbatimit të Planit të Ri të Rritjes”, ka shkruar Spiropali.
Spiropali ka theksuar se falë reformave strukturore në fushat e konkurrueshmërisë, zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit ekonomik, energjisë dhe digjitalizimit, Komisioni Evropian disbursoi së fundmi 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Ri të Rritjes.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali do të takohet edhe me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.









