Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri kryebashkiakun e New York-ut, Eric Adams, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe qytetit të New York-ut, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe teknologjisë.
Në një deklaratë për mediat pas takimit, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e kësaj vizite, duke e cilësuar Adams si një mik të vjetër dhe një mbështetës të komunitetit shqiptar në SHBA.
“Pas një premtimi të përsëritur disa herë, më në fund kryetari i Bashkisë së New York-ut, z. Adams, erdhi në Shqipëri për të parë nga afër një vend për të cilin ka dëgjuar shumë – si nga miqtë e tij shqiptarë, ashtu edhe nga unë vetë,” tha Rama.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte vendosja e një linje direkte fluturimi mes Shqipërisë dhe New York-ut.
Kryeministri u shpreh se për këtë projekt ka pasur përpjekje të vazhdueshme dhe se përfshirja e kryebashkiakut Adams, i cili ka qenë kyç në hapjen e linjave të ngjashme me vende të tjera, mund të sjellë një shtysë të rëndësishme.
Gjithashtu, Rama bëri të ditur se kryebashkiaku Adams ka shprehur interes të veçantë për të takuar ministren virtuale Diella, një iniciativë inovative shqiptare në fushën e inteligjencës artificiale dhe shërbimeve dixhitale.