Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit me nderime në aeroportin e Prishtinës nga përfaqësues të Presidencës së Republikës së Kosovës dhe zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Gjatë një ceremonie solemne të mbajtur në Presidencë, Infantino u dekorua nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, me një medalje nderi për kontributin e tij në përkrahje të zhvillimit të futbollit në Kosovë dhe për forcimin e lidhjeve të këtij vendi me institucionet ndërkombëtare të sportit.
“Është nder i madh dhe kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu në Kosovë, në shtëpinë time. Pranimi i kësaj medaljeje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, është një emocion dhe privilegj i veçantë për mua. Kosova dhe Prishtina sot janë kryeqyteti i futbollit botëror – dhe siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë,” u shpreh Infantino në fjalën e tij.
Presidenti i FIFA-s i dedikoi medaljen ikonës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, si dhe të gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar rolin e veçantë të futbollit në bashkimin e komuniteteve dhe forcimin e identitetit kombëtar.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të futbollit shqiptar. Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili së fundmi është emëruar në Komitetin për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s – një nga strukturat më të rëndësishme të kësaj organizate globale. Gjithashtu, të pranishëm ishte edhe Armand Duka, president i FSHF-së, i cili mban tashmë postin e anëtarit të Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s për një mandat katërvjeçar.
Vizita e Infantinos përforcon mbështetjen ndërkombëtare për futbollin në Kosovë dhe nënvizon rritjen e ndikimit të figurave shqiptare në strukturat drejtuese të FIFA-s.