Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Mal të Zi, Naida Nishiq, theksoi rëndësinë e punës dinjitoze jo vetëm për rritjen e pagave, por edhe për kushtet e qarta dhe parashikueshme të punës dhe mbrojtjen e punonjësve, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punës Dinjitoze.
Në panelin “Puna dinjitoze: sfidat dhe perspektivat në Mal të Zi” u vlerësua se vendi ka bërë përparim në fushën e të drejtave të punës, por përballë qëndrojnë sfida si forcimi i dialogut social dhe përshtatja e ligjeve me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministrja kujtoi se paga minimale është rritur nga 450 në 800 euro, janë përmirësuar kushtet e punës për praktikantët dhe të drejtat e punonjësve, por theksoi se puna dinjitoze përfshin edhe mbrojtjen e garantuar nga Inspektorati i Punës.
Ajo njoftoi se janë në proces disa ndryshime ligjore që do të rrisin sigurinë ligjore dhe mbrojtjen e punonjësve, duke përfshirë edhe amendamentet në Ligjin për mbrojtjen nga ngacmimet në punë, me fokus në luftën kundër mobingut.
Ministrja bëri me dije se do të formohet një grup pune për të siguruar mbrojtjen e të gjithë punonjësve nga ngacmimet dhe abuzimet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e një sistemi pune dinjitoze dhe të ardhme më të mirë.