Kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, do t’i kalojë për shqyrtim seancës plenare.
Sot u mbajt mbledhja e parë e Këshillit të Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë, me rend dite konstituimin e këshillit dhe shqyrtimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit Peleshi.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se raporti për çështjen në fjalë do t’i përcillet për shqyrtim seancës plenare.
“Deputeti Ivi Kaso paraqiti kërkesën e dërguar në Kuvend, duke renditur faktet dhe shkeljet e pretenduara nga deputetët e opozitës gjatë zhvillimit të seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtator 2025, ku sipas kërkesës deputetëve të pakicës parlamentare u është mohuar e drejta e diskutimit për ndryshimet në rregullore dhe programin qeverisës, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, data për seancën ku do të shqyrtohet kërkesa do të caktohet në ditët në vijim.
Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, ka paraqitur kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi.
Sipas Partisë Demokratike, Peleshi, ka shkelur rregulloren e Kuvendit me seancën për miratimin e programit të qeverisë së re dhe ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit.
Më 18 shtator Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin e qeverisë së re të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe përbërjen e saj, seancë e cila vazhdon të kundërshtohet nga deputetët e opozitës.
Niko Peleshi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë më 12 shtator.