Foto: Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave
Në sallën e konferencave të hotelit Bristol, më 2 tetor 2025, u mbajt trajnimi i parë për aplikantët e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Ky trajnim u realizua në bashkëpunim me Këshillin Rom dhe ishte i fokusuar në prezantimin e udhëzuesit praktik për aplikimin dhe justifikimin e fondeve të ndara për projektet në këtë fushë.
Trajnimi u udhëhoq nga përfaqësueset e Fondit, Emina Skenderoviq dhe Kristina Sinishtaj, të cilat nëpërmjet një prezantimi interaktiv shpjeguan të gjitha fazat e procesit të aplikimit, nga plotësimi i formularëve e deri te raportimi financiar.
Gjatë prezantimit, u theksuan pikat kyçe si: shpallja e thirrjeve, kushtet për aplikim, mënyra e plotësimit të aplikacionit, plani i aktiviteteve, detyrimet kontraktuale, si dhe rregullat për raportim dhe kontroll.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe gabimeve më të shpeshta që bëjnë aplikantët, me qëllim që ato të shmangen në të ardhmen.
Trajnimin e hapi drejtori i Fondit, Xhenis Nurkoviq, i cili theksoi se qëllimi i këtyre edukimeve është forcimi i kapaciteteve të aplikantëve dhe krijimi i një ambienti më të favorshëm për projekte cilësore.
Në emër të Këshillit Rom, të pranishmit i përshëndeti kryetari Mensur Shalaj, duke nënvizuar se ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes më të madhe të komunitetit rom në proceset e mbrojtjes dhe realizimit të të drejtave të pakicave.
Udhëzuesi i prezantuar është përgatitur në format interaktiv, me lidhje të drejtpërdrejta drejt faqes së internetit të Fondit, ku mund të shkarkohen të gjitha format dhe dokumentet e nevojshme. Ai do të jetë i qasshëm në faqen zyrtare të Fondit, në rrjetet sociale dhe në kanalin Viber.
Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave ka paralajmëruar organizimin e trajnimeve të ngjashme për komunitete të tjera pakicë, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së aplikimeve dhe rritjen e transparencës në përdorimin e mjeteve të dedikuara për projektet në këtë fushë.