IZRAELI I PARALAJMËRON “PËR HERË TË FUNDIT” BANORËT QË TË LARGOHEN NGA QYTETI MË I MADH I GAZËS

Izraeli e lëshoi paralajmërimin e “fundit” të mërkurën për banorët e qytetit më të madh të Rripit të Gazës, për t’u larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës tokësore.

Ky paralajmërim erdhi ndërkohë që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – po e shqyrton planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në tokën palestineze.

Dëshmitarët raportuan bombardime të mëdha në Qytetin e Gazës, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria po e ngushton rrethimin e qytetit.

“Kjo është mundësia e fundit për banorët e Gazës që duan të largohen drejt jugut dhe t’i lënë militantët e Hamasit të izoluar në Qytetin e Gazës”, shkroi Katz në X, duke paralajmëruar se ata që mbeten do të “konsiderohen terroristë dhe mbështetës terroristësh”.

Katz tha se ushtria izraelite e ka marrë nën kontroll korridorin Netzarim, që lidh Gazën qendrore me bregun perëndimor, duke e shkëputur veriun e Gazës nga pjesa jugore.

Çdokush që largohet nga Qyteti i Gazës drejt jugut do të duhet të kalojë nëpër postblloqet ushtarake izraelite, shtoi ai.

Njoftimi erdhi disa orë pasi ushtria tha se po e mbyllte rrugën e fundit që ua mundësonte banorëve udhëtimin nga jugu i Gazës drejt veriut.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se intensifikimi i operacioneve ushtarake e ka detyruar ta pezullojë përkohësisht veprimtarinë në Qytetin e Gazës.

Pak ditë më herët, organizata Mjekët pa Kufij e ndali punën në qytet, ku ende veprojnë disa agjenci të OKB-së dhe organizata të ndihmës.

Ndërkohë, Hamasi po e shqyrton një plan për paqe të propozuar nga Trump dhe të mbështetur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

SHARE