Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Mlilojko Spajiq, nënkryetarja e Parlamentit Europian Eva Kopaç, nënkryetarja e Kuvendit të Malit të Zi Zdenka Popoviq dhe ministrja për Çështje Europiane Maida Gorçeviq, janë nderuar me çmimin “Ura e Europës” nga presidentja e organizatës ndërkombëtare WPL (Women Political Leaders), Silvana Koch-Mehrin.
Sipas Kuvendit të Malit të Zi, çmimi përfaqëson një vlerësim për përkushtimin ndaj reformave europiane, dialogut demokratik dhe përpjekjeve për përputhje me legjislacionin e BE-së, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike në vend.
Gjatë ndarjes së çmimit, Kryeministri Spajiq theksoi se është nder që Mali i Zi pret Samitin e WPL-së dhe shtoi:
“Mirë se vini në një vend që beson në vlerat europiane, në urat që lidhin dhe në një të ardhme të ndërtuar mbi besimin dhe bashkëpunimin.”
Ai tha se çmimi u përket të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, pasi reflekton përkushtimin e përbashkët ndaj integrimit europian.
Spajiq gjithashtu vlerësoi punën e ministres Maida Gorçeviq, duke theksuar se ajo ka sjellë vizion dhe energji të re në procesin e reformave.
Ai shprehu edhe mirënjohjen për nënkryetaren e Kuvendit, Zdenka Popoviq, si një figurë kyçe në avancimin e barazisë gjinore, duke veçuar kuotën ligjore prej 40% për përfaqësimin e grave në parlament.
Në fund, Kryeministri falënderoi presidenten e WPL-së për vizionin dhe mbështetjen që u jep grave në politikë, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Spajiq shprehu bindjen e tij se Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.