MPB: EDHE PAS 30 SHTATORIT, QYTETARËT DO TË MUND TË PAJISEN ME KARTËN E IDENTITETIT

Foto: Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj disa pretendimeve të pasakta në disa media lidhur me afatet dhe detyrimet për ndërrimin e kartës së identitetit, duke theksuar se qytetarëve u janë dhënë gjithsej 66 muaj për zëvendësimin e dokumenteve të vjetra dhe se asnjë qytetari nuk do t’i pamundësohet realizimi i të drejtës për pajisje me kartë identiteti.

Në njoftim thuhet se Ministria ka nisur lëshimin e kartës së identitetit të gjeneratës së tretë që më 30 mars 2020, në përputhje me Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kartë identiteti. 

“Me ndryshimet e ligjit të miratuara në mars të vitit 2025, Kuvendi i Malit të Zi zgjati afatin për ndërrimin e kartës së identitetit deri më 30 shtator 2025. Ministria vepron në përputhje me ligjin dhe nuk mund të ndryshojë në mënyrë të njëanshme afatet që caktohen vetëm me ligj”, thuhet në deklaratë.

MPB thekson se gjatë më shumë se pesë viteve ka informuar vazhdimisht opinionin publik për këtë obligim përmes mediave, rrjeteve sociale, paraqitjeve publike dhe komunikimit të drejtpërdrejtë – përfshirë edhe dërgimin e mesazheve SMS me ndihmën e operatorëve celularë.  

“Në dhjetëra deklarata publike, fushata dhe paraqitje mediatike kemi apeluar te qytetarët që të ndërrojnë dokumentet. Në mënyrë të veçantë është theksuar përfitimi nga karta e identitetit elektronik dhe rëndësia e tij për realizimin e të drejtave dhe detyrimeve”, thuhet më tej në njoftim. Ministria gjithashtu nënvizon se nuk vepron në mënyrë represive ndaj qytetarëve, edhe pse ligji parashikon gjoba për ata që nuk posedojnë kartë identiteti të vlefshëm. “Fokusi ynë nuk është ndëshkimi, por ofrimi i shërbimeve. Vetëm në qershor të vitit 2025 janë pranuar 10.093 kërkesa, ndërsa në 25 ditët e para të shtatorit janë dorëzuar 36.041 kërkesa, çka tregon seriozitetin dhe volumin e madh të punës që është realizuar me sukses”, thekson MPB.

Është veçuar gjithashtu se përmes njësive mobile, shërbimet janë ofruar edhe për personat e paralizuar apo me sëmundje të rënda, përmes vizitave në shtëpitë e tyre.

Në fund, Ministria përsërit qëndrimin se as pas datës 30 shtator 2025, asnjë qytetari nuk do t’i mohohet e drejta për të marrë kartën e identitetit.

SHARE