Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës duke e konsideruar seancën si të papërfunduar pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas vendimit të publikuar nga Kushtetuesja, po ashtu deputetët janë të obliguar që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
“Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar deputetët e Legjislaturës së Nëntë që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata e ka marrë këtë vendim pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.
Sot ishte dita e fundit e masës së përkohshme që Gjykata Kushtetuese ia caktoi konstituimit të Kuvendit, duke ua ndaluar deputetëve çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re.
Masa e vendosur ndaj deputetëve ishte kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, partia e cila doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, e cila ka bërë thirrje që të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.
Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar disa herë formim sa më të shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë, por kjo nuk u arrit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 9 shtator tha se shpreson se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim për ta shpallur të konstituuar Kuvendin dhe që Kosova t’i themelojë sa më shpejtë institucionet e reja.
Osmani deklaroi se do ta caktojë mandatarin për kryeministër të vendit menjëherë pas aktgjykimit, nëse vendimi i Kushtetueses është pozitiv.