TRUMP DHE NETANYAHU PAJTOHEN PËR PLANIN PËR PAQE NË GAZË

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të hënën se marrëveshja për paqe në Gazë “është shumë afër” dhe se atë tashmë e ka pranuar Izraeli.

Ai ka thënë në një konferencë për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë se është duke punuar për të arritur paqen në gjithë Lindjen e Mesme.

“Kjo mund të jetë njëra prej ditëve më të mrekullueshme në civilizim”, ka thënë ai.

Lufta në Gazë është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – në tokën izraelite, në tetor të vitit 2023, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë. Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake për ta shkatërruar Hamasin.

Presidenti amerikan e ka prezantuar një plan për paqe prej 20 pikash, duke thënë se “njerëzve iu ka pëlqyer shumë” dhe e ka falënderuar Netanyahun që “është pajtuar” me të.

Ai ka thënë se plani është përpiluar në bashkëpunim me shumë shtete tjera dhe i ka falënderuar “liderët nga kombet arabe dhe myslimane” si dhe shumë aleatë në Evropë.

Hamasi tha të martën se do ta diskutojë planin e paqes për Gazën brenda grupit dhe me fraksionet e tjera, përpara se të japë një përgjigje.

Tetë shtete arabe ose me shumicë myslimane thanë në një deklaratë të përbashkët se “përshëndesin rolin e presidentit amerikan dhe përpjekjet e tij të sinqerta që synojnë t’i japin fund luftës në Gaza”. Ata shtuan se “konfirmojnë gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë pozitive dhe konstruktive me Shtetet e Bashkuara dhe me palët e tjera, me qëllim finalizimin e marrëveshjes dhe sigurimin e zbatimit të saj”. Vendet përfshijnë Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë. Të gjitha këto vende e njohin Izraelin, megjithatë disa prej tyre kanë marrëdhënie të trazuara. Deklaratën e nënshkruan gjithashtu Katari, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësues, dhe Arabia Saudite. Indonezia dhe Pakistani — dy vendet me popullsinë më të madhe myslimane në botë — iu bashkuan gjithashtu deklaratës. Indonezia ka ofruar trupa si pjesë e një force të ardhshme në Gazë, ndërsa Pakistani është përpjekur të afrohet me administratën Trump dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin.

Autoriteti Palestinez, të cilin Netanyahu është përpjekur ta anashkalojë, gjithashtu u nxitoi të ofrojë mbështetje, duke përshëndetur “përpjekjet e sinqerta dhe të vendosura” të zotit Trump. Hamas, nga ana tjetër, tha se do ta shqyrtojë planin e Trumpit para se të japë një përgjigje. Ndërkaq Xhihadi Islamik, një grup i armatosur palestinez që lufton pranë Hamasit në Gaza, e quajti planin “një recetë për agresion të vazhdueshëm kundër popullit palestinez”.

SHARE