DISKUTIM PËR REFORMËN ZGJEDHORE NË MAL TË ZI: LISTAT E HAPURA SI HAP DREJT DEMOKRATIZIMIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Diskutimi mbi reformën zgjedhore në Mal të Zi, i zhvilluar në kuadër të një paneli të organizuar nga Qendra për Tranzicion Demokratik, solli në fokus rëndësinë e listave të hapura si një hap thelbësor drejt demokratizimit të procesit zgjedhor dhe forcimit të rolit të qytetarëve në përfaqësim.

Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Zoran Mikiq, theksoi se kjo reformë nuk zgjidh të gjitha problemet, por është një hap i rëndësishëm përpara.

Ai mbështet idenë e listave të hapura, ku qytetarët përveç zgjedhjes së listës, mund të votojnë edhe deri në pesë kandidatë nga ajo listë.

Megjithatë, ai është skeptik për vullnetin politik për ta realizuar reformën deri në fund.

Deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani”, Darko Dragoviq, gjithashtu e mbështet këtë sistem dhe thekson nevojën për mekanizma mbrojtës për gratë, pakicat dhe grupet e cenueshme.

Ai ngriti shqetësimin që të mos ndodhë grumbullimi i mandateve vetëm në Podgoricë dhe sugjeroi që të shqyrtohet nëse vendi duhet të mbetet njësi zgjedhore unike apo të ndahet në disa.

Milica Kovaçeviq nga Qendra për Tranzicion Demokratik vuri në dukje se, ndonëse ka mbështetje qytetare për listat e hapura, ekziston kundërshtim politik, shpesh i fshehur pas deklaratave verbale.

Ajo propozoi modelin kosovar si pikënisje për reformën, për shkak të ngjashmërisë kontekstuale dhe përvojës ndërkombëtare në përgatitjen e legjislacionit zgjedhor atje.

Deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, deklaroi se për momentin nuk është i mundur një model me lista plotësisht të hapura, por u shpreh i hapur për një model gjysmë të hapur, ku qytetarët mund të përzgjedhin disa kandidatë nga lista.

Ai theksoi se ky sistem nuk e dëmton partinë, por i jep më shumë fuqi qytetarëve dhe rrit përgjegjësinë e deputetëve ndaj votuesve.

SHARE