Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Podgoricë u hap Samiti i Lidereve Politike, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, ku mbi 220 gra lidere nga 65 shtete u mblodhën për të diskutuar fuqizimin e grave në politikë dhe shoqëri.
Mesazhi kryesor i samitit ishte se përfaqësimi i grave duhet të kthehet në ndikim real, përgjegjësi dhe ndryshim shoqëror.
Zdenka Popoviq, nënkryetare e Kuvendit të Malit të Zi, tha se barazia gjinore nuk është më vetëm temë për fjalime, por prioritet politik.
Ajo theksoi se Mali i Zi udhëheq në rajon, duke kujtuar se kuota për gratë në Kuvend është rritur në 40%, si sinjal se “vendi i grave është aty ku merren vendimet.”
“Barazia gjinore nuk është çështje e grave, por e drejtësisë, demokracisë dhe zhvillimit”, theksoi Popoviq.
Silvana Koch-Mehrin, presidente e Forumit Politik të Grave, përkujtoi guximin e princeshës Ksenija, gruaja e parë që ngiste veturën në Ballkan në fillim të shekullit XX, duke e quajtur Malin e Zi tokë të grave pioniere dhe të guximshme.
Ajo tha: “Gratë duhet ta marrin timonin dhe të drejtojnë – kjo është ajo që simbolizon ky samit.”
Obiageli Ezekwesili, kryetare e Bordit të WPL-së, theksoi se përfshirja e grave në politikë nuk duhet të jetë vetëm simbolike, por duhet të sjellë transformim të vërtetë.
“Kur gratë udhëheqin, shoqëritë përparojnë. Përfaqësimi nuk mjafton – duhet të kthehet në ndikim të vërtetë dhe përgjegjësi,” tha ajo.