VUJOVIQ: NË MAL TË ZI PO QËNDROJNË 73 MIJË TURISTË

Foto: NTO

Aktualisht në Mal të Zi po qëndrojnë rreth 73 mijë turistë, ka bërë të ditur Millena Vujoviq, zëdhënëse e Organizatës Kombëtare Turistike.

Ajo theksoi se post-sezoni turistik po jep rezultate shumë të mira, me një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe 50% më shumë se në vitin 2019.

Sipas saj, më së shumti turistë ka në Herceg Novi, Budva dhe Tivar, ndërsa mot i mirë dhe rritja e trafikut ajror – me 2.5 milionë pasagjerë nga janari deri në 21 shtator – po kontribuojnë ndjeshëm në suksesin e sezonit.

OKT po punon intensivisht për promovimin e sezonit të ardhshëm turistik, duke prezantuar Malin e Zi në Panairin në Paris dhe në Tourism Expo Japan, ndërsa përgatiten edhe për panairin në Londër.

Janë planifikuar vizita studimore të turoperatorëve, gazetarëve dhe influencuesve nga Belgjika, Spanja, Norvegjia, Danimarka dhe Izraeli, ndërsa oferta për turizëm kongresual do të prezantohet në fund të vitit në panairin në Barcelonë.

Fokusi i veçantë i fushatave do të jetë në tregjet kyçe si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, si dhe në vazhdimin e fushatës “Uncover Your Wild Side” me theks në kanalet digjitale.

Vujoviq shtoi gjithashtu se Malit të Zi iu dha çmimi i argjendtë për filmin më të mirë promovues turistik në Spanjë, dhe se po realizohen edhe fushata të përbashkëta me turoperatorë nga Austria, Çekia, vendet skandinave dhe Britania e Madhe.

SHARE