OKB I KËRKON FIFA-s DHE UEFA-s PEZULLIMIN E IZRAELIT NGA KOMPETICIONET NDËRKOMBËTARE

Tetë ekspertë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i kanë bërë apel FIFA-s dhe UEFA-s për të pezulluar Izraelin nga kompeticionet ndërkombëtare, si reagim ndaj gjenocidit që po kryhet nga Izraeli në Gaza.

“Sporti duhet të largojë perceptimin se gjithçka vazhdon si zakonisht,” theksohet në komunikatën e përbashkët të ekspertëve të OKB-së.

Ata shtojnë se organizmat sportivë nuk duhet të shmangin përgjegjësinë dhe të mbyllin sytë përballë shkeljeve të të drejtave të njeriut, sidomos kur platformat e tyre përdoren për të normalizuar padrejtësitë.

Ekspertët theksuan se shtetet ku kanë selinë e tyre organizatat ndërkombëtare, ata që organizojnë kompeticionet dhe ata që marrin pjesë në evente sportive me Izraelin, duhet të kenë parasysh detyrimin që të mos qëndrojnë neutralë përballë gjenocidit.

Në komunikatë u përmend edhe raporti i Komisionit të Hetimit të OKB-së, që thekson se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2024 vendosi se të gjitha vendet kanë detyrimin ligjor për të vepruar kundër këtij krimi të rëndë që po kryhet në Rripin e Gazës.

“Kombëtaret që përfaqësojnë shtetet që kryejnë shkelje masive të të drejtave të njeriut mund dhe duhet të pezullohen, ashtu si ka ndodhur edhe në të kaluarën,” përfunduan ekspertët e OKB-së.

SHARE