Foto: 2BS
Forumi ndërkombëtar “To Be Secure” (2BS), një nga ngjarjet më të rëndësishme të sigurisë në rajon, do të mbahet më 3 dhe 4 tetor në Budva, duke shënuar 15-vjetorin e tij.
Ngjarja organizohet nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi, dhe këtë vit pritet të mbledhë presidentë, ministra, liderë politikë dhe ekspertë të sigurisë nga e gjithë bota. Partnerë strategjikë të Forumit janë NATO dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi.
“Jubileu i 2BS Forumit vjen në një moment kyç për sigurinë euroatlantike, në sfondin e një pasigurie gjeopolitike në rritje, kërcënimeve hibride dhe konvencionale, si dhe përdorimit të inteligjencës artificiale dhe informacionit si armë,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjatë dy ditëve të Forumit, mbi 55 folës dhe mbi 400 pjesëmarrës do të diskutojnë mbi sfidat më të rëndësishme të sigurisë globale.
Vëmendje e veçantë këtë vit i është kushtuar komunikimit strategjik, për të cilin është rezervuar dita e dytë e Forumit, nën titullin 2BS Stratcom.
Programi përfshin panele diskutimi, sesione tematike, takime dypalëshe e ministrore, si dhe sesione brainstorming ekskluzive, duke krijuar një platformë unike për bashkëpunim dhe gjetje zgjidhjesh për sfidat e sigurisë së sotme.