MINISTRIA E ADMINISTRATËS PUBLIKE SHËNON JAVËN E QASJES SË LIRË NË INFORMACION: TRANSPARENCA, BAZA E DEMOKRACISË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi i është bashkuar shënimit të Javës së Qasjes së Lirë në Informacion, duke theksuar se transparenca, përgjegjshmëria dhe hapja janë themele të një shoqërie demokratike dhe një element kyç në rrugën evropiane të vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë, e drejta e qytetarëve për qasje të lirë në informata është me rëndësi të veçantë në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, sepse forcon kulturën e përgjegjësisë dhe garanton qasje më të madhe në të dhëna me interes publik – siç janë ato për financat, arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë vitit të kaluar, Ministria ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në këtë fushë, përfshirë:

  • Hartimin e Ligjit të ri për Qasje të Lirë në Informacion
  • Përmirësimin e portalit të të dhënave të hapura: data.gov.me
  • Përgatitjen e Planit të ri Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (2026–2029)

“Qëllimi ynë është që administrata publike e Malit të Zi të jetë shërbim i vërtetë për qytetarët, që funksionon në mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme. E drejta për qasje të lirë në informata nuk është vetëm një obligim ligjor, por një parakusht thelbësor për demokracinë dhe besimin e qytetarëve në institucione”, deklaroi ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.

SHARE