Foto: BQMZ
Rritja e standardeve në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është çelës për integrimin e plotë në iniciativat evropiane dhe sigurimin e transaksioneve më të sigurta dhe më të favorshme për qytetarët – theksoi guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq, gjatë hapjes së konferencës rajonale mbi këtë temë.
Ajo vuri në dukje se këto masa nuk janë vetëm kërkesa rregullatore, por përbëjnë bazën për forcimin e integritetit të tregjeve financiare dhe një parakusht thelbësor për integrimin evropian.
Radoviq përmendi përparimet e BQMZ në dy vitet e fundit, si përmirësimi i kuadrit rregullator, forcimi i mbikëqyrjes dhe kapaciteteve institucionale, dhe përafrimi me standardet e Eurosistemit përmes bashkëpunimit të ngushtë me bankat qendrore evropiane.
Konferenca, e organizuar nga BQMZ, mblodhi përfaqësues të lartë nga bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga fusha e mbikëqyrjes dhe sistemeve të pagesave.
Drejtoresha e Drejtorisë për Mbikëqyrje në fushën e parandalimit të pastrimit të parave në BQMZ, Gordana Kalleziq, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për forcimin e rezistencës së sistemeve financiare dhe besimit të qytetarëve dhe investitorëve.
Roel Braes nga Banka Qendrore e Belgjikës përgëzoi bashkëpunimin me BQMZ dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm me Agjencinë Evropiane për Luftën kundër Pastrimit të Parave (AMLA).
Eksperti ndërkombëtar Kjeld Herreman prezantoi sfidat aktuale në parandalimin e krimit financiar në pagesat e menjëhershme dhe ndau përvojat e BE-së në zbatimin e rregulloreve për sistemet SEPA dhe TIPS.
Gjatë konferencës u diskutuan iniciativat e reja dhe gatishmëria e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe me partnerët evropianë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.