BRITANIA, KANADAJA DHE AUSTRALIA E NJOHIN ZYRTARISHT SHTETIN PALESTINEZ

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez të dielën, duke iu bashkuar vendeve të tjera në një lëvizje që synon ringjalljen e përpjekjes për zgjidhjen me dy shtete, por që është kritikuar nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha vendimi i Britanisë vjen pas dështimit të Izraelit për t’i përmbushur kushtet, përfshirë një armëpushim në luftën gati dyvjeçare në Gazë.

“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës” tha kryeministri Keir Starmer në X.

Britania, Kanadaja dhe Australia u bashkohen më shumë se 140 vende të tjera në njohjen e shtetit palestinez, por vendimi i tyre pritet t’i zemërojë si Izraelin ashtu edhe aleatin e tij kryesor, Shtetet e Bashkuara.

Edhe Portugalia pritet gjithashtu ta njohë palestinez të dielën më vonë.

Britania dhe Kanadaja u bënë vendet e para të grupit të G7-ës që ndërmorën këtë hap, ndërsa Franca dhe vende të tjera pritet të ndjekin shembullin e tyre gjatë Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OKB-së, e cila nis të hënën në Nju Jork.

“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit për një të ardhme paqësore si për Shtetin e Palestinës, ashtu edhe për Shtetin e Izraelit”, shkroi kryeministri kanadez Mark Carney në X.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, shkroi në rrjetet sociale se vendi i tij ndoqi hapat e Britanisë dhe Kanadasë në njohjen e shtetit palestinez.

Ai thotë se kjo është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët së bashku me Kanadanë dhe Britaninë dhe do të formojë “një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete”.

Ky është një moment historik për palestinezët dhe shpresat e tyre shumëvjeçare për shtetësi, ndërsa kombet më të fuqishme perëndimore kanë argumentuar për kohë të gjatë se ajo duhet të vijë vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të negociuar paqeje me Izraelin.

SHARE