Foto: RTNK
Ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, deklaroi se diaspora është një nga burimet më të mëdha të Malit të Zi, jo vetëm për ruajtjen e identitetit dhe kulturës, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të vendit.
Gjatë një mëngjesi pune me bashkëpunëtorët dhe përfaqësues të mediave, Azemoviq prezantoi punën e Ministrisë për periudhën korrik 2024 – shtator 2025, si dhe planet për vitin e ardhshëm.
Ai theksoi se, përkundër burimeve të kufizuara, janë realizuar aktivitete të rëndësishme që kanë forcuar lidhjet me diasporën.
Disa nga rezultatet kryesore të prezantuara ishin:
- Hartimi i Ligjit të ri për bashkëpunimin me diasporën dhe Strategjisë për vitet 2026–2030;
 - Krijimi i Regjistrit të diasporës, i disponueshëm në disa gjuhë;
 - Futja e përfitimeve të reja për poseduesit e librezave të diasporës (në telekomunikacion, transport, kulturë dhe turizëm);
 - Marrëveshje me Qendrën Kulturore Malazeze në Serbi, duke u mundësuar 14 shoqatave hapësira pune në qytetin e Vrbasit;
 - Botimi i Informatorit për diasporën dhe udhëzuesit “Potencialet investuese të komunave të Malit të Zi”.
 
Ministri njoftoi gjithashtu se janë mbështetur 111 projekte të diasporës nga 17 shtete, me një vlerë prej 320.000 eurosh. Ndërkohë, Dita e Diasporës është organizuar këtë vit në 6 komuna, me synim zgjerimin vitin e ardhshëm, duke përfshirë forume biznesi.
Planet për të ardhmen përfshijnë:
- Themelimin e Zyrës për të Kthyerit;
 - Nisjen e kursit online të gjuhës malazeze për diasporën;
 - Krijimin e fondit investues “Diaspora për Zhvillim”;
 - Formimin e përbërjes së re të Këshillit për bashkëpunim me diasporën, pas miratimit të Ligjit të ri në Kuvend.
 
Azemoviq vuri në dukje se Ministria do të mbetet një partner i besueshëm për diasporën dhe një urë lidhëse për përfshirjen e saj aktive në zhvillimin e vendit.
                









