DELEGACIONI I BE-së DHE INSTITUCIONET VENDORE NË AKSION EKOLOGJIK NË PLAZHIN E MADH

Foto: RTCG

Në Ulqin u zhvillua sot një aksion i rëndësishëm pastrimi në zonën e pasme të Plazhit të Madh, me rastin e Ditës Evropiane të Pastrimit të Bregdetit, në kuadër të fushatës „Ruaje që të ruajë“.

Aktiviteti u organizua nga Delegacioni i BE-së në Mal të Zi, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekologjisë, Komunën e Ulqinit, ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, organizata joqeveritare dhe partnerë të tjerë.

Nënkryetari i Komunës së Ulqinit Beqir Sellaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit lokal, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e mjedisit.

Ambasadori i BE-së në Mal të Zi Johann Sattler vuri në dukje se pastrimi është pjesë e një projekti më të madh për eliminimin e deponive ilegale dhe paralajmëroi vendosjen e kamerave për mbikëqyrje edhe në Ulqin, për ruajtjen e pastërtisë.

Ministri Damjan Qullafiq foli për rëndësinë e ngritjes së vetëdijes dhe përmendi progresin në drejtim të menaxhimit të Kriporës së Ulqinit si dhe projektin për ndërtimin e impiantit për përpunimin e ujërave të ndotura në Botun – një nga projektet më të mëdha ekologjike në vend.

Ambasadorja e Danimarkës, Pernile Deler Kardel, shprehu gatishmërinë e vendit të saj për të mbështetur Malin e Zi në përmbushjen e standardeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit (Kapitulli 27).

Drejtuesja e Zero Waste Montenegro, Vanja Cicmil, dhe drejtoresha e OJQ Dr Martin Schneider Jacoby Association, Zejnep Lika, theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit qytetar dhe luftës kundër ndotjes, duke kujtuar se Plazhi i Madh është një nga pasuritë më të mëdha natyrore dhe ekonomike të Malit të Zi.

SHARE