Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk janë prishur me SHBA-në, por se kanë disa dallime kur bëhet fjalë për qëndrimet e Kosovës në raport me Serbinë, raporton Anadolu.
Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar, tha se për qytetarët duhet sqaruar se bëhet fjalë për pezullimin për planifikimin për dialog strategjik, jo të Dialogut Strategjik si proces tashmë të nisur “dhe as të komunikimit të rregullt që ne e kemi”.
“Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Ndonëse, opozitarët po e stërzmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizojë zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”, theksoi Kurti.
Ai tha se gjatë mandatit të fundit të qeverisë, kanë forcuar marrëdhëniet me SHBA-në në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim.
“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave të saj ilegale në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike”, theksoi Kurti.
Ai theksoi se bashkëpunimi ushtarak po vazhdon, ndërsa në shtyllën e zhvillimit Qeveria e Kosovës hoqi tarifën 10 për qind ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-ja ndërsa administrata amerikane vazhdoi programin kompakt të Koorporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Republikën e Kosovës.
Sipas Kurtit, raportet, marrëdhëniet dhe lidhjet me SHBA-në dhe popujve të të dyja vendeve janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë.
Më 12 shtator SHBA-ja pezulloi për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një deklaratë për media tha këtë javë se pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA-ja është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.