DELEGACIONI I BE-së NË TIRANË SHPREH KEQARDHJE PËR SEANCËN E DJESHME NË PARLAMENT

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shprehu keqardhjen e tij për zhvillimet në seancën e djeshme në Parlament, ku u prezantua programi qeverisës nga kryeministri Edi Rama.

Në një koment për Top Channel, delegacioni theksoi se Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu.

“Në kontekstin e procesit të anëtarësimit në BE, Parlamenti ka një rol vendimtar në debatimin dhe miratimin e reformave legjislative, duke siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent,” theksohet në deklaratë.

Duke iu referuar bllokimit të fjalës së kryeministrit nga deputetët e opozitës, Delegacioni i BE-së vlerësoi se debati mbi programin qeverisës për katër vitet e ardhshme do të kishte qenë një mundësi e rëndësishme për diskutimin e pikëpamjeve dhe qasjeve të ndryshme ndaj procesit të integrimit në BE, që mbetet një ambicie ndërpartiake.

“Në mënyrë të pafat, publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar plotësisht mbi programin e Qeverisë dhe për të dëgjuar diskutimin e përfaqësuesve të zgjedhur në përputhje me ligjin,” thuhet në përgjigjen e Delegacionit.

BE-ja në Tiranë theksoi se do të vazhdojë angazhimin për të forcuar rolin e Parlamentit si një institucion që promovon dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik.

“Ne besojmë se të gjitha partitë politike dhe sektorët e shoqërisë në Shqipëri do të jenë të gatshëm të luajnë rolin e tyre në përparimin e vendit drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësim në Bashkimin Evropian,” përfundon deklarata.

SHARE