SHBA-ja E PËRDOR VETON PËRSËRI KUNDËR REZOLUTËS SË OKB-së PËR ARMËPUSHIM NË GAZË

Shtetet e Bashkuara e përdorën veton përsëri kundër një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do të kishte kërkuar armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Rripin e Gazës, si dhe do t’i kërkonte Izraelit t’i hiqte të gjitha kufizimet për dërgimin e ndihmave në enklavën palestineze.

Teksti, i hartuar nga 10 anëtarët e zgjedhur të këshillit me 15 vende, do të kishte kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm, me dinjitet dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupe të tjera në Gazë.

Zëvendësja e të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Morgan Ortagus, tha se teksti nuk ishte i mjaftueshëm në dënimin e Hamasit dhe nuk e njihte të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Draft-rezoluta i mori 14 vota për gjatë votimit të enjten vonë.

Kjo ishte hera e gjashtë që SHBA-ja e përdor veton në Këshillin e Sigurimit lidhur me luftën pothuajse dyvjeçare mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

“Zia e bukës është e konfirmuar në Gazë – jo e parashikuar, jo e shpallur, por e konfirmuar”, tha ambasadorja e Danimarkës në OKB, Christina Markus Lassen, para votimit.

“Ndërkohë, Izraeli ka zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Qytetin e Gazës, duke thelluar edhe më shumë vuajtjet e civilëve. Për pasojë, e kemi këtë gjendje katastrofike, këtë dështim njerëzor dhe humanitar, që na detyroi të veprojmë sot”, shtoi ajo.

Qyteti i Gazës dhe zonat përreth po vuajnë zyrtarisht nga uria, e cila me gjasë do të përhapet, sipas një vëzhguesi botëror të urisë.

SHARE