SHBA: SITUATË SHPËRTHYESE NË FRANCË, RREZIK PËR SIGURINË

Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një alarm të ri sigurie për amerikanët në Francë, duke paralajmëruar për “mundësinë e përleshjeve të dhunshme” gjatë protestave.

“Greva dhe protestat po zhvillohen në të gjithë Francën. Transporti publik është prekur ndjeshëm, veçanërisht në zonën metropolitane të Parisit, dhe disa shkolla janë mbyllur. Shoferët mund të preken nga bllokimet e rrugëve, dhe mund të ketë ndërprerje në shërbimet e tjera të transportit, duke përfshirë fluturimet, trenat dhe shërbimet e taksive,” thuhej në alarmin e postuar në X dhe në faqen zyrtare të Departamentit.

“Mundësia e përleshjeve të dhunshme midis protestuesve dhe organeve të sigurisë franceze mbetet e lartë. Shmangni zonat ku zhvillohen demonstratat.”

Departamenti Amerikan i Shtetit lëshon shpesh paralajmërime udhëtimi për zonat me rrezik të lartë në botë, për të këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin ose të jenë shumë të kujdesshëm gjatë udhëtimeve.

Paralajmërime të tilla për Francën nuk janë të rralla, pasi vendi shpesh përjeton trazira për shkak të protestave dhe grevave.

Paralajmërimi i fundit erdhi mes një vale grevash dhe protestash që po zhvillohen në të gjithë Francën, në kundërshtim me shkurtimet e planifikuara në buxhet nga qeveria.

Kjo e fundit ka vendosur rreth 80 mijë trupa policie në rrugë për të ruajtur rendin.

Në Paris, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pranë një stacioni autobusësh, ndërsa përleshje u regjistruan edhe në disa qytete të tjera.

Ministria e Brendshme raportoi për 94 të arrestuar në të gjithë vendin.

SHARE