TËRMET I TMERRSHËM GODET RUSINË / MAGNITUDA 7.8, ALARM PËR CUNAMI NË BRIGJET AMERIKANE

Një tërmet i fortë me magnitudë 7.8 ballë goditi rajonin e Kamçatkës në Lindjen e Largët të Rusisë të premten, duke shkaktuar paralajmërime për cunami në zonë, por pa raportime për dëme materiale, njoftoi guvernatori lokal Vladimir Solodov.

Sipas Institutit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash dhe u pasua nga disa lëkundje të tjera deri në magnitudën 5.8.

Ministria e Emergjencave e Rusisë konfirmoi gjithashtu se magnituda e tërmetit ishte 7.8, pas një rishikimi nga vlerësimi fillestar prej 7.2 ballësh.

Një paralajmërim për cunami u lëshua për bregun lindor të gadishullit të Kamçatkës, përfshirë zonat përgjatë Detit Bering dhe Oqeanit Paqësor.

Valët e cunamit të regjistruara në disa pika të ndryshme të bregdetit arritën lartësi nga 30 deri në 62 centimetra.

Kamçatka është një zonë shumë sizmike, ku vetëm javën e kaluar u regjistruan të paktën dy tërmete me magnituda mbi 7.

Në korrik, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 shkaktoi paralajmërime për cunami deri në Polinezinë Franceze dhe Kili, ndërsa u pasua edhe nga shpërthimi i një vullkani aktiv në gadishull.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së dhe Qendra e Paralajmërimit të Cunamit të Paqësorit lëshuan paralajmërime për zonat e Alaskës pas tërmetit të së premtes, por ato u hoqën më vonë.

SHARE