Mes tensioneve në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët kanë votuar për programin politik për periudhën 2025-2029 dhe përbërjen e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Edi Rama.
Ky është mandati i katërt i Ramës në krye të ekzekutivit shqiptar, pasi subjekti i tij, Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 11 majit.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, doli në foltore për të prezantuar programin. Por, tensionet u rritën pasi në sallë u lëshua një adresim i Diellës, ministres së shtetit për Inteligjencë Artificiale.
Kjo u kundërshtua nga partitë opozitare, duke bërë që seanca të shkonte në pushim për 15 minuta.
Partia Socialiste kërcënoi se programi nuk do të prezantohej dhe nuk do të kishte debat për të, por do të hidhej direkt në votim.
Pas rinisjes së seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e hodhi në votim programin, që mori 82 vota për.
Gjatë votimit elektronik, deputetë të Partisë Demokratike u afruan drejt vendit ku gjenden ministrat dhe hodhën rregulloren e Kuvendit dhe një shishe uji drejt Ramës dhe kreut të ri të Kuvendit, Niko Peleshi.
Kjo është hera e parë që një program i ekzekutivit nuk prezantohet para deputetëve dhe nuk ka debat për të, por hidhet direkt në votim.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, ndonëse ishte parashikuar të zgjaste 25 orë dhe të zhvillohej debat lidhur me programin.
Pas seancës, Rama shkroi në Facebook se duhet që deputetët e zgjedhur të mund të debatojnë në Kuvend të papenguar.
Ai tha se 83 ulëset e fituara nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, janë detyrim ndaj votuesve “për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që në sallën e Parlamentit përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën apo sharjet e rrugës si alternativë opozitare”.
Ndërkaq, gjatë adresimit të shkurtër në Kuvend, para se të tensionohej situata, Rama tha se mandati i katërt përkon me planin që Shqipëri të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
“Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati. Shqipëria evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do ndërmarrim”, tha Rama.